Shkolla e Magjistraturës më datë 17 nëntor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Kufijtë e shqyrtimit të çështjes në apel. Përsëritja e hetimit gjyqësor për ankimet ndaj vendimeve të fazës së hetimeve paraprake, të seancës paraprake dhe gjykimit në themel. Kufijtë e detyrimit për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor në rastet e vendimit të pafajësisë. Kufijtë e shqyrtimit të gjykimit të shkurtuar në rast pafajësie nga shkalla e pare.", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Engert Pëllumbi dhe Genti Dokollari
Qëllimi i këtij trajnimi është: Rritja e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi standardet që duhet të ndiqen nga Gjykata e Apelit në lidhje me kufijtë e shqyrtimit të çështjes dhe përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, veçanërisht kur çështja vjen me vendim pafajësie nga gjykata e shkallës së parë. Jurisprudenca e GjEDNj-së, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Kufijtë e shqyrtimit dhe përsëritja e shqyrtimit gjyqësor në gjykatën e apelit pas ndryshimeve të K.Pr.Penale me ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017. Njehsimi i praktikës me vendimin njehsues nr. 275, datë 06.11.2024 të Gjykatës së Lartë;
- Përsëritja e shqyrtimit gjyqësor në gjykatën e apelit pas ndryshimeve të K.Pr.Penale me ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017 dhe standardet e vendosura nga GJEDNJ, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.






Shkolla e Magjistraturës